Samsung po krijon televizorin qe kontrollohet nga truri
Samsung është duke krijuar një sistem për televizorë, përmes së cilit përdoruesit mund të ndryshojnë kanalet dhe të kontrollojnë volumin përmes trurit.
I ashtuquajturi Project Ponthius është pjesë e një bashkëpunimi midis kompanisë Samsung dhe qëndrës Ecole Polytechnique Fédérale de Lausanne, në Zvicër. Synimi i projektit është ti japin njerëzve me paaftësi fizike mundësinë për të shijuar shfaqjen televizive të preferuar pa qënë nevoja për tu ndihmuar nga askush.
Kompania prezantoi një prototip pra një sistem ende në zhvillim gjatë konferencës në San Francisko javën e kaluar, ku kompania shfaqi disa prej risive teknologjike të saj, një prej tyre edhe telefoni i palosshëm. Qëllimi kryesor sipas kompanisë është të sigurojmë mundësi dhe kushte të barabarta edhe për ata të cilët për fat të keq kanë disa kufizime në lëvizjet e tyre. Ne po e bëjmë të mundur një teknologji e cila është më shumë komplekse, akoma më shumë inteligjente se çdo teknologji e mëparshme, por nuk duhet të harrojmë që kjo teknologji është krijuar për të ndërvepruar me njerëzit, u shpreh një prej shkencëtarëve që meren me zhvillimin e sistemit inovativ.
Sistemi përdor një kompjuter bashkëveprues me trurin, për të bërë të mundur lidhjen e televizorit me përdoruesin. Sistemi BCI ka të bëjë me një pajisje që vendoset në kokë dhe që është e mbuluar me 64 sensorë si dhe një gjurmues i lëvizjes së syve. Një gjë e tillë mundet që një ditë të çojë drejt një sistemi të zhvilluar që përdor valët e trurit për të bërë parashikime, dhe më pas lëvizja e syve të japë konfirmimin. Pasi përzgjedhjet të jenë bërë, sistemi do të jetë i aftë të ndërtojë një profil të shikuesit dhe të japë sugjerime të mëvonshme, duke riorganizuar procesin e përzgjedhjes së përmbajtjes.
Megjithëse një ditë sistemi mund të ndihmojë njerëzit që kanë pësuar paralizë, nuk ka gjasa që të bëhet e zakonshme në çdo kohë së shpejti. Kjo për shkak se përdorimi i prototipit aktual do të kërkojë aplikimin e një xheli në kokat e tyre para se të vendosë një pajisje me sensorë, diçka që mund të jetë më e vështirë se sa të kalosh disa minuta duke kërkuar telekomandën që humbi në jastëkët e divaneve.
Samsung dhe EPFL po punojnë gjithashtu në një sistem tjetër që do t'u mundësojë shikuesve të bashkëveprojnë me televizorët duke përdorur vetëm valët e trurit. Ky sistem mund të jetë veçanërisht i dobishëm për njerëzit që vuajnë nga aftësi të kufizuara. Kompani të tjera gjithashtu po punojnë në zhvillimin e sistemeve BCI-të që një ditë mund t'i lejojnë njerëzit të ndërveprojnë me pajisjet e ndryshme.